ebook img

Bibla - Besëlidhja e Vjetër PDF

2335 Pages·2020·6.433 MB·Albanian
Save to my drive
Quick download
Download
Most books are stored in the elastic cloud where traffic is expensive. For this reason, we have a limit on daily download.

Preview Bibla - Besëlidhja e Vjetër

Besëlidhja e Vjetër BIBLA ZANAFILLA 1 Krijimi i qiellit e i tokës 1Në fillim Perëndia krijoi qiejt e tokën. 2Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; një terr mbulonte humnerën dhe shpirti i Perëndisë fluturonte mbi ujërat. 3Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë. 4Perëndia pa se drita ishte e mirë dhe e ndau dritën nga errësira. 5Perëndia e quajti dritën ditë, ndërsa errësirën e quajti natë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e parë. 6Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një kube mes ujërave e le t'i ndajë ujërat nga ujërat». 7Perëndia e bëri kubenë dhe i ndau ujërat që ishin nën kube prej ujërave që ishin mbi kube. Dhe kështu u bë. 8Perëndia e quajti kubenë qiell. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e dytë. 9Pastaj Perëndia tha: «Le të mblidhen ujërat nën qiell në një vend e le të shfaqet tera». Dhe kështu u bë. 10Perëndia e quajti terën tokë, ndërsa tërësinë e ujërave i quajti dete. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 11Perëndia tha: «Le të prodhojë toka bimësi, bimë me farë, pemë frutore që japin fryte me farë, secila sipas llojit të vet, mbi tokë». Dhe kështu u bë. 12Toka prodhoi bimësi, bimë me farë sipas llojit të vet e pemë frutore me farë sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 13U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e tretë. 14Perëndia tha: «Le të bëhen ndriçues në kubenë e qiellit që të ndajnë ditën nga nata e të shërbejnë si shenjë për stinë, ditë e vite. 15Le të shkëlqejnë në kubenë e qiellit e ta ndriçojnë tokën». Dhe kështu u bë. 16Perëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin më të madh për të zotëruar ditën, ndërsa më të voglin për të zotëruar natën e yjet. 17Perëndia i vendosi në kubenë e qiellit që të ndriçojnë tokën, 18të zotërojnë ditën e natën e të ndajnë dritën nga errësira. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 19U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e katërt. 20Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me një mori qeniesh të gjalla e shpendët le të fluturojnë mbi tokë, në kubenë e qiellit». 21Perëndia krijoi përbindëshat e mëdhenj të detit, çdo qenie të gjallë që lëviz e që mbush ujërat sipas llojit të vet dhe çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 22Atëherë Perëndia i bekoi e tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbushni ujërat e detit dhe shpendët le të shumohen mbi tokë». 23U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e pestë. 24Pastaj Perëndia tha: «Le të prodhojë toka qenie të gjalla të çdo lloji: bagëti, zvarran- ikë e kafshë të egra, secila sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë. 25Perëndia bëri kafshët e egra, bagëtitë e zvarranikët e tokës, secilën sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 26Pastaj Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin tonë e le të sundojë mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit, mbi bagëtitë, mbi mbarë tokën e mbi gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë». 27Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet, në shëmbëlltyrën e Perëndisë e krijoi, mashkull e femër i krijoi. 28Pastaj Perëndia i bekoi e u tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbusheni tokën e nënshtrojeni. Sundoni mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit e mbi çdo gjallesë që lëviz mbi tokë». 29Pastaj Perëndia tha: «Ja, ju kam dhënë për ushqim çdo bimë, mbi fa- qen e tokës, që ka farë e çdo pemë që ka fryte me farë. 30Dhe kafshëve të egra, shpendëve të qiellit e zvarranikëve të tokës, çdo qenieje të gjallë, u kam dhënë për ushqim gjithë bimësinë». Dhe kështu u bë. 31Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e gjashtë. ZANAFILLA 2 1Kështu u kryen qielli, toka e gjithçka që është në to. 2Ditën e shtatë Perëndia e përfundoi punën që kishte bërë. Ditën e shtatë ai pushoi nga të gjitha punët që kishte bërë. 3Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë, se atë ditë ai pushoi nga çdo gjë që krijoi e bëri. 4Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës kur u krijuan. Krijimi i burrit dhe i gruas Ditën kur ZOTI Perëndi krijoi tokën e qiellin, 5asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se ZOTI Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. 6Megjithatë një burim dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. 7Atëherë ZOTI Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. 8ZOTI Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. 9ZOTI Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes. 10Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lu- menj. 11I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. 12Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. 13I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. 14I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat. 15 ZOTI Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante. 16ZOTI Perëndi e urdhëroi njeriun e i tha: «Nga çdo pemë e kopshtit ha lir- isht, 17por nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes mos ha, sepse ditën që ha prej saj, me të vërtetë do të vdesësh». 18Pastaj ZOTI Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Do t'i bëj dikë përkrah si veten e tij». 19Dhe ZOTI Perëndi formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t'i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t'u vinte, ai do të ishte emri i tyre. 20Kështu njeriu i vuri emër çdo bagëtie, çdo shpendi të qiellit e çdo kafshe të egër. Megjithatë, Adamit nuk iu gjet askush përkrah si vetja e vet. 21Atëherë ZOTI Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. 22Me brinjën që mori nga njeriu ZOTI Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. 23Atëherë njeriu tha: «Kjo tani, është kockë prej kockave të mia, mish prej mishit tim. Do të quhet grua, se nga burri ajo u nxor». 24Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish. 25Njeriu me gruan e tij ishin që të dy lakuriq, por nuk kishin turp. ZANAFILLA 3 Mosbindja e Adamit dhe e Evës 1Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që ZOTI Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». 2Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, 3por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». 4Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, 5sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen». 6Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve. 8Pastaj dëgjuan zërin e ZOTIT Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e ZOTIT Perëndi mes pemëve të kopshtit. 9 ZOTI Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». 10Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». 11Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». 12Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». 13ZOTI Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra». 14 ZOTI Perëndi i tha gjarprit: «Për këtë që bëre, mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra. Mbi bark do të zvarritesh e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde. 15Armiqësi do të shtie mes teje e gruas, mes farës tënde e farës së saj që do të ta shtypë kokën, ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën». 16Gruas i tha: «Shumë dhimbje barre do të të jap e me mundim do t'i lindësh fëmijët. Burrin tënd do ta dëshirosh, por ai do të sundojë mbi ty». 17Adamit i tha: «Meqë dëgjove gruan e hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash, mallkuar qoftë toka për shkakun tënd! Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate. 18Gjemba e ferra do të prodhojë për ty e bimët e fushës do të hash. 19Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës derisa të kthehesh në dhe, se prej tij u nxore, pluhur je e në pluhur do të kthehesh». 20Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. 21ZOTI Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata. 22Pastaj ZOTI Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë për- jetë». 23Prandaj ZOTI Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. 24E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës. ZANAFILLA 4 Kaini dhe Abeli 1Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e ZOTIT fitova një njeri!». 2Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën. 3Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi ZOTIT nga frytet e tokës. 4Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. ZOTI e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij, 5ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra. 6ZOTI i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra? 7Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk ve- pron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh». 8Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau. 9ZOTI i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!». 10ZOTI i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd. 11Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate. 12Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë». 13Kaini i tha ZOTIT: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj. 14Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë». 15ZOTI i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe ZOTI i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë. 16Kaini u largua nga prania e ZOTIT dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit. Pasardhësit e Kainit 17Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit. 18Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku. 19Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila. 20Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë. 21Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit. 22Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama. 23Lameku u tha grave të veta: «Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim. O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time: për një plagë vrava një burrë, për një të goditur, një djalosh. 24Shtatëfish iu mor haku Kainit e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë». 25Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini». 26Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh. Asokohe filloi të thirret emri i ZOTIT. ZANAFILLA 5 Pasardhësit e Adamit 1Ky është libri i breznive të Adamit. Kur Perëndia krijoi njeriun, në përngjasimin e Perëndisë e krijoi. 2Mashkull e femër i krijoi, i bekoi dhe ditën kur i krijoi i quajti «njeri». 3Adami ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur i lindi një djalë në përngjasimin e në shëmbëlltyrën e tij dhe e quajti Set. 4Adami jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Seti e pati bij e bija të tjera. 5Kështu, Adami jetoi nëntëqind e tridhjetë vjet dhe vdiq. 6Seti ishte njëqind e pesë vjeç kur i lindi Enoshi. 7Seti jetoi tetëqind e shtatë vjet pasi i lindi Enoshi e pati bij e bija të tjera. 8Kështu, Seti jetoi nëntëqind e dymbëdhjetë vjet dhe vdiq. 9Enoshi ishte nëntëdhjetë vjeç kur i lindi Kenani. 10Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Kenani e pati bij e bija të tjera. 11Kështu, Enoshi jetoi nëntëqind e pesë vjet dhe vdiq. 12Kenani ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindi Mahalaleli. 13Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet pasi i lindi Mahalaleli e pati bij e bija të tjera. 14Kështu, Kenani jetoi nëntëqind e dhjetë vjet dhe vdiq. 15Mahalaleli ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Jaredi. 16Mahalaleli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Jaredi e pati bij e bija të tjera. 17Kështu, Mahalaleli jetoi tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe vdiq. 18Jaredi ishte njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjeç kur i lindi Enoku. 19Jaredi jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Enoku e pati bij e bija të tjera. 20Kështu, Jaredi jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe vdiq. 21Enoku ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Metushelahu. 22Enoku jetoi me Perëndinë për treqind vjet pasi i lindi Metushelahu e pati bij e bija të tjera. 23Kështu, Enoku jetoi treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. 24Ai jetoi me Perëndinë e nuk u gjet më, se e mori Perëndia. 25Metushelahu ishte njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjeç kur i lindi Lameku. 26Metush- elahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet pasi i lindi Lameku e pati bij e bija të tjera. 27Kështu, Metushelahu jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet dhe vdiq. 28Lameku ishte njëqind e tetëdhjetë e dy vjeç kur i lindi një djalë. 29E quajti Noe e tha: «Ky do të na çlodhë nga puna e nga mundimi i duarve tona për shkak të tokës që ZOTI mallkoi». 30Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet pasi i lindi Noeu e pati bij e bija të tjera. 31Kështu, Lameku jetoi shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet dhe vdiq. 32Noeu ishte pesëqind vjeç kur i lindën Semi, Kami e Jafeti. ZANAFILLA 6 Ligësia e njeriut 1Kur njeriu filloi të shumohet mbi faqen e tokës e i lindën bija, 2bijtë e Perëndisë panë se bijat e njeriut ishin të bukura dhe morën për gra ato që zgjodhën. 3ZOTI tha: «Shpirti im nuk do të qëndrojë me njeriun përgjithmonë, sepse ai është mish dhe ditët e jetës së tij do të jenë njëqind e njëzet vjet». 4Në ato kohë nefilimët jetonin në tokë, po ashtu edhe më vonë kur bijtë e Perëndisë morën për gra bijat e njeriut dhe ato u lindën fëmijë. Këta ishin kreshnikët e lashtësisë, njerëz me emër.

See more

The list of books you might like

Most books are stored in the elastic cloud where traffic is expensive. For this reason, we have a limit on daily download.